Finalizimi i Paketës Fiskale dhe Parashikimit të të Ardhurave përbën një nga proceset më të rëndësishme në kuadrin e përgatitjes së buxhetit vjetor 2024 dhe afatmesëm (PBA)në nivel vendor. Për t'i ardhur në ndihmë bashkive për arritjen e synimeve në formulimin e një buxheti që përputhet me prioritetet dhe nevojat e identifikuara, në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Financave dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Taksës së Pasurisë, Projekti Financat Lokale/LFP, ka organizuar gjatë muajit Nëntor 2023 zhvillimin e 4 tryezave rajonale me përfshirjen e zyrtarëve vendorë të 61 Bashkive të vendit.
Në 7 Nëntor në Pogradec u mblodhën së bashku 30 zyrtarë vendorë të 12 Bashkive të rajonit jug-lindor dhe në 9 Nëntor - 35 përfaqësues të 17 Bashkive të rajonit jug -perëndimor u mblodhën në tryezën rajonale të organizuar në qytetin e Vlorës.
Në të dy takimet pjesëmarrësit patën mundësi të përfshihen në mënyrë aktive në çështje të rëndësishme që lidhen me zhvillimin e një Pakete Fiskale gjithëpërfshirëse që merr parasysh zbatimin e politikave të reja në përputhje me strategjitë e zhvillimit në nivel vendor e kombëtar, çështje të zbatimit e administrimit për të arritur rezultatet e dëshiruara fiskale.
Në çështjet e parashikimit të të ardhurave një vëmendje e veçantë iu kushtua vlerësimit te burimet e mundshme të të ardhurave në dispozicion të qeverisjes vendore, përshtatjes me prioritetet afatmesme që kalon ciklin e buxhetit vjetor, me fokus në taksën e pasurisë, analizës së të dhënave historike dhe tendencat ekonomike për të bërë parashikime sa më realiste.
Në respekt të afatit të finalizimit të Paketës Fiskale dhe Buxhetit 2024 dhe PBA, dhe dërgimit për miratim në Këshill, që është 30 Nëntori, dy tryeza të tjera rajonale do të zhvillohen në javën në vazhdim, respektivisht në Shkodër dhe Tiranë, me perfaqësues të Bashkive të rajonit verior dhe qendror.