Në vazhdim të asistencës teknike për përmirësimin e administrimit të borxhit tatimor në nivel vendor, ekipi i projektit LFP/SECO, në datat 7 dhe 27 Korrik zhvilloi dy seanca trajnimi me punonjës e drejtues të Departamentit të të Ardhurave/ Sektorit të borxhit tatimor të 4 Bashkive partnere Mirditë, Berat, Lushnje e Dimal.
14 zyrtarë vendorë të Departamenteve të të Ardhurave u asistuan direkt në lidhje me rëndësinë e evidentimit të nivelit të borxhit tatimor si një e ardhur publike e munguar, çështje të analizës së riskut e raportimit, si dhe të rejat më të fundit në kuadrin ligjor që afekton mbledhjen e detyrimeve të prapambetura. Aksesi i NJVV në Regjistrin Qendror të Llogarive Bankare dhe përdorimi efikas i informacionit përkatës përbën një “risi ligjore”, që potencialisht, lehtëson procedurat e mbledhjes së detyrimeve vendore dhe ul kostot e administrimit.
Në takimin e organizuar në Berat, përfaqesuesit e bashkive fqinje Berat, Dimal e Lushnje ndanë eksperiencat e tyre për çështje specifike në administrimin e borxhit tatimor, rëndësinë e ndërveprimit institucional me subjekte dhe agjensi të qeverisjes qendrore si dhe nevojën për uniformitet minimal të procedurave ligjore të renditura në mënyrë të qartë dhe racionale në Manualin e Administrimit të Borxhit tatimor të përgatitur nga ekipi i LFP.
Sipas kërkesave specifike të çdo bashkie partnere, ekipi i projektit do të vazhdojë të ofrojë mbështetje me asistencë teknike me synim institucionalizimin e funksionit të administrimit të borxhit tatimor dhe përmirësimin e disiplines financiare të këtij funksioni në kuadrin e menaxhimit të të ardhurave vendore në përgjithësi.

