Skip to main content

TRAJNIM MBI "ZHVILLIMI I KONTROLLIT TË BRENDSHËM, NËPËRMJET DREJTIMIT ME FOKUS NË RISK"

Projekti Financat Lokale, në bashkëpunim me Shkollën e Trajnimit të Administratës Publike (ASPA) në datat 22 - 23 Nëntor 2023 organizuan trajnimin “Zhvillimi i Kontrollit të Brendshëm, Nëpërmjet Drejtimit me Fokus në Risk”. Trajnimi ishte një hap shumë i rëndësishëm drejt përmirësimit të kapaciteteve të menaxhimit të njësive vendore, ku 27 drejtues vendorë u pajisën me njohuri thelbësore për kontrollet e brendshme të organizatës dhe aftësi për të identifikuar, vlerësuar dhe monitoruar në mënyrë efektive risqet kundrejt objektivave. Ky program trajnimi, është projektuar për të përmirësuar kuptimin e nivelit menaxherial të bashkive për kompleksitetin e menaxhimit të risqeve dhe mjetet e nevojshme për të adresuar në mënyrë proaktive risqet në kuadrin e kontrolleve të brëndshme efektive të vendosura nga titullari në organizatë.

Aspektet kyçe të mbuluara gjatë trajnimit përfshijnë, por nuk kufizohen me:

- Kërkesat e standardit ndërkombëtar dhe kuadrit ligjor në Shqipëri për kontrollin e brendshëm. Performanca aktuale dhe niveli i përgjegjshmërisë menaxheriale të bashkive

- Ç’është drejtimi bazuar në risk dhe si ndikon në mirëmenaxhimin e fondeve publike dhe rritjen e llogaridhënies së drejtuesve të bashkisë

- Hapat për ndërtimin e proceseve dhe menaxhimin e risqeve që lidhen me to marrë shëmbull procesin kompleks të menaxhimit të aseteve vendore.

- Metodat për menaxhimin e risqeve që lidhen me proceset e punës.

- Menaxhimi i risqeve që lidhen me Programin e Buxhetit Afatmesëm, Monitorimi dhe raportimi mbi reduktimin e risqeve në kuadrin e raportit për zbatimin e buxhetit.