Skip to main content

Raport mbi Statusin e Vështirësive Financiare të Njësive të VetëQeverisjes Vendore, viti 2020

Raporti i konsoliduar u përgatit nga Drejtoria e Financave Vendore në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë me mbështejen e ekipit e projektit “Financat Lokale”. Stoku i detyrimeve të prapambetura deri në fund të dhjetorit 2020 për njësitë e qeverisjes vendore është 7 miliardë lekë, i cili përbën 49% të totalit të detyrimeve financiare të qeverisjes së përgjithshme. Sic mund të shihet kjo është një shifër e konsiderueshme që ka një ndikim të drejtpërdrejtë në situatën fiskale të qeverisjes së përgjithshme. Që këtej rrjedh: (i) rëndësia që menaxhimi i lartë i bashkive duhet t’i kushtojë menaxhimit të borxhit të prapambetuar dhe kujdesit në marrjen përsipër të angazhimeve të reja, si dhe (ii) domosdoshmëria e monitorimit të ngushtë deri në kontroll direkt të angazhimeve publike që duhet të ushtrojë Ministria e Financave dhe Ekonomisë në bashkitë që rezultojnë me vështirësi financiare deri në paaftësi paguese.

Nga të dhënat rezultojnë 10 bashki në vështirësi financiare,  11 bashki me probleme financiare dhe 37 bashki pa probleme financiare qe kanë mundur të mbajnë në nivel të ulet stokun e detyrimeve të prapambetura, pavarësisht vështirësive financiare qe shkaktoi kriza pandemike e vitit 2020. Në 21 bashkitë me probleme apo vështirësi financiare, 25.89% e detyrimeve janë të natyrës së shpenzimeve korrente, 61.73% të natyrës së shpenzimeve kapitale, 11.78% të natyrës nga vendimet gjyqësore dhe 0.82% hua afatgjatë. Vecanërisht, statusi i vështirësisë financiare është përkeqësuar shumë për 5 bashki, nga bashki pa probleme financiare në bashki me probleme financiare (Delvina) dhe në vështirësi financiare (Kuçovë, Belsh, Këlcyrë). Vecanërisht, Bashkia e Vorës, nga një bashki pa probleme financiare në 2019, klasifikohet si një bashki në vështirësi financiare në 2020 me një tregues 75%, shumë pranë statusit të vështirësisë serioze financiare.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë mund të përcaktojë qendrimin e saj sipas përgjegjësive që i jep ligji, të miratojë politika mbështetëse për secilën nga bashkitë me probleme financiare, apo të parashtrojë rekomandime të dedikuara lidhur me mundësinë e uljes së nivelit të detyrimeve të prapambetura nëpërmjet përmirësimit të menaxhimit financiar, vetëm nëse bashkitë dërgojnë raporte të plota (jo vetëm tabelare apo të pjesshme) me analizë të thelluar të riskut mbi:

  1. shkaqet që cojnë në akumulimin e detyrimeve financiare të prapambetura për bashkinë.
  2. reagimin/vendimet e menaxhimit të lartë (Kryetari, Keshilli Bashkiak), gjatë periudhës së raportimit, për parandalimin apo trajtimin e riskut të krijimit/shtimit të detyrimeve të prapambetura me qëllim mos rëndimin e situatës financiare të bashkisë.
  3. vështirësitë që ka hasur bashkia për shlyerjen e detyrimeve financiare të prapambetura.
  4. masat e mëtejshme të planifikuara për menaxhimin e riskut në të ardhmen, emërtuar në udhëzim si plani i shlyerjes së detyrimeve financiare të prapambetura. Theksojmë që nuk përfshihet thjesht shlyerja e detyrimeve në vlerë cdo vit, por edhe masat përkatëse që cojnë në vlerën e përllogatur për shlyerje.

Për sa më lart rekomandohet që:

  1. krijimi i angazhimeve të reja financiare duhet të vlerësohet me kujdes nga bashkitë, në kushtet kur mesatarisht buxheti nga bashkitë realizohet në masën prej 73.53% dhe 28 bashki kanë një tregues të realizimit të buxhetit nën mesatare;
  2. të gjitha bashkitë e vendit të miratojnë deri në fund të vitit 2021 planin e detajuar të menaxhimit të riskut të krijimit/shtimit të detyrimeve të prapambetura dhe të raportojnë mbi bazën e këtij plani sipas kërkesave të listuara më sipër. Strukturat e Finances dhe/ose të Auditimit të Brendshëm të bashkive të kryejnë dhe njëherë vlerësimin/verifikimin e detyrimeve financiare të prapambetura në kontabilitet mbi bazën e kritereve të njohjes së borxhit sipas Ligjit Nr. 48/2014 “Për pagesat e vonuara në detyrimet kontraktore e tregtare”;
  3. Ministria e Financave rekomandon të vazhdojnë të mbajnë nën kontroll riskun e krijimit/shtimit të detyrimeve financiare të prapambetura, vecanetisht për 37 bashkitë e vendit të listuara në grafikun nr. 1 të këtij raporti me një nivel të detyrimeve financiare të prapambetura deri në 15% të shpenzimeve të miratuara vjetore

Per me shume lexoni Raportin ne Shqip, si edhe Permbledhjen e Gjetjeve Kryesore ne Anglisht.