Skip to main content

KANË FILLUAR TRAJNIMET RAJONALE TË AUDITUESVE TË BRENDSHËM TË BASHKIVE ME TEMË "AUDITIMI MBI BAZË RISKU - SISTEMI I MENAXHIMIT TË TË ARDHURAVE VENDORE

Burimet nga të ardhurat vendore janë të rëndësishme si një mënyrë për financimin e një pjese të shpenzimeve vendore dhe për vendosjen e një shkalle llogaridhënieje ndaj qytetarëve lidhur me vendimet e bashkisë për kryerjen e shpenzimeve. Audituesi i brendshëm duhet të sjellë vlerë të shtuar në bashkinë ku bën pjesë, duke e orientuar punën audituese në çështjet e menaxhimit të të ardhurave vendore që shqetësojnë realisht si menaxhimin ashtu edhe përfituesit e shërbimeve vendore. Prandaj përmirësimi i kapaciteteve audituese/përditësimi me ndryshimet ligjore mbetet i një rëndësie të veçantë.

Në këtë kuadër gjatë muajve Prill – Maj 2023 ekipi i projektit “Financat Lokale”, financuar nga Qeveria Zvicerane, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë kanë zhvilluar dy trajnime të suksesshme në Shkodër dhe Pogradec me pjesëmarrjen e 53 audituesve të brendshëm të bashkive. Fokusi i trajnimit - Auditimi mbi bazë risku i sistemit të menaxhimit të të ardhurave vendore.

Në ditën e parë të trajnimeve u prezantuan dokumentet menaxheriale që u përgatitën nga ekipi i projektit dhe u diskutuan gjerësisht me strukturat e të ardhurave dhe koordinatorët e riskut të bashkive, respektivisht Udhëzimi për mbledhjen e të ardhurave, Manuali i proceseve për menaxhimin e të ardhurave, Planet e trajtimit të risqeve lidhur me të ardhurat.  Në ditët pasuese u prezantuan procedurat që ndiqen në fazën e planifikimit strategjik dhe operacional për të përfshirë faktorët e riskut, si përcaktues të të gjithë punës audituese që vjen më pas, deri në adresimin e rekomandimeve tek Kryetari dhe subjektet e audituara. Grupet tematike, me mbështetjen e ekspertëve të projektit, trajtuan raste të ndryshme studimore të lidhura ngushtë me praktikën që nga planifikimi i auditimit deri në komunikimin e rekomandimeve tek menaxhimi i bashkisë për përmirësimin e sistemit të menaxhimit të të ardhurave dhe propozimin e masave shtesë për trajtimin e risqeve të lidhura. Aktiviteti u shoqërua edhe me shkëmbimin e ideve dhe rasteve që hasen në punën e përditshme nga audituesit.