Mungesa e kontrollit mbi angazhimet dhe paaftësia e bashkisë për të paguar detyrimet e saj financiare në kohën e duhur çojnë në akumulimin e një mase të madhe të detyrimeve financiare të prapambetura duke shkaktuar një reaksion zinxhir në dëm të ekonomisë vendore dhe më tej në nivel kombëtar.
Ja përse masat për trajtimin e riskut, të krijimit/akumulimit të detyrimeve të prapambetura monitorohen ngushtësisht nga Ministria e Financave dhe raportohen rregullisht nga të gjitha institucionet publike të vendit.
Në kushtet e trajtimit me përparësi të riskut të detyrimeve të prapambetura merr rëndësi të veçantë Auditimi i Brendshëm i proceseve te planifikimit deri tek raportimi financiar i performancës së bashkisë për saktësimin e masës së detyrimeve të prapambetura; shlyerjen e tyre në mënyrë të saktë, transparente dhe të besueshme; si dhe parandalimin e ndodhjes apo akumulimit të tyre në të ardhmen.
Ekipi i projektit Financat Lokale, me kërkesë dhe në bashkëpunim me ekipin e MFE për harmonizimin e funksionit të auditimit të brendshëm, organizoi me sukses gjatë muajve Mars-Prill 2022 ciklin e 4 trajnimeve tre ditore mbi baza rajonale (Lezhe, Tirane, Pogradec, Gjirokaster), ku mbi 120 Auditues të brendshëm të 61 bashkive të vendit u njohën me konceptet bazë, trajtimet ligjore mbi detyrimet financiare, analizën e tyre dhe raportimin financiar, teknikat e auditimit të detyrimeve të prapambetura si dhe me trajtimin rast pas rasti të shëmbujve të ndryshëm të sjellë nga përditshmëria.

